Dilara Zengin
01 Shtator 2021•Përditësim: 01 Shtator 2021
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredisë Moody's të martën përmirësoi parashikimin e rritjes ekonomike të Turqisë për vitin 2021 nga 5 në 6 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e saj Global Macro Outlook 2021-22, Moody's gjithashtu rishikoi pritjet e rritjes së ekonomisë turke për vitin 2022 nga 3.5 në 3.6 për qind.
Raporti thekson se rimëkëmbja në sektorin e turizmit mbështet rritjen në ekonominë turke falë rimëkëmbjes së vazhdueshme ekonomike globale dhe përparimit në vaksinimin kundër COVID-19.
Ekonomitë e G20 ndërkohë pritet të rriten me 6.2 për qind në 2021 dhe 4.5 për qind në 2022, thuhet në raportin e Moody's.
Më poshtë shtohet se ekonomitë e zhvilluara të G20 pritet të rriten me 5.6 për qind në 2021 dhe 4.2 për qind në 2022.
Ekonomitë në zhvillim pritet të rriten me 7.2 për qind këtë vit, kurse performanca e rritjes së këtyre vendeve do të ulet në 5.1 për qind në vitin 2022, sipas raportit.
Raporti gjithashtu pret që norma e inflacionit të mbetet e lartë në 2021 për shumicën e ekonomive të G20 dhe pritet të ulet në 2022.