Derya Gülnaz Özcan
11 Korrik 2023•Përditësim: 11 Korrik 2023
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se është i kënaqur me vendimin e Türkiyes në lidhje me anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe tha se takimi i tij nesër me presidentin Recep Tayyip Erdoğan mund të jetë një fillim drejt ndërmarrjes së hapave të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe me Ankaranë, raporton Anadolu.
“E mirëpres vendimin e Türkiyes dhe presidentit turk Erdoğan për të pranuar Suedinë në NATO. Shpresoj që së shpejti, vendi mik Suedia të jetë anëtari i 32-të”, tha Mitsotakis në hyrje të Samitit të NATO-s, i cili po mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.
Duke kujtuar se nesër do të zhvillojë takim dypalësh me presidentin Erdoğan në margjina të Samitit të NATO-s, Mitsotakis tha: “Do të jetë takimi ynë i parë pas zgjedhjeve në të dy vendet. Besoj se që të dy, mund të bëjmë hapin e parë drejt rifillimit të marrëdhënieve Türkiye-Greqi, me mbështetje të fortë publike”.
Ai tha se megjithëse ka mosmarrëveshje të rëndësishme mes Türkiyes dhe Greqisë, problemet mund të zgjidhen në bazë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në kuadër të së drejtës ndërkombëtare.
Kryeministri grek theksoi se ka pasur një atmosferë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe në muajt e fundit.
“Në vazhdën e kësaj atmosfere pozitive, shpresoj se ne mund të ndërmarrim hapa të rëndësishëm përparimi nga të cilat do të përfitojnë të dy popujt”, tha Mitsotakis.