Sarp Özer,Ömer Tuğrul Çam
14 Tetor 2022•Përditësim: 17 Tetor 2022
Shefi turk i mbrojtjes përsëriti të enjten rëndësinë e dialogut me Greqinë, pa ndërhyrjen e palëve të treta, raporon Anadolu Agency (AA).
Duke komentuar takimin e tij me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikolaos Panagiotopoulos, Hulusi Akar tha: "I thashë homologut tim se është e rëndësishme që takime të tilla të zhvillohen më shpesh dhe të rritet dialogu dypalësh".
Duke folur me gazetarët turq në Bruksel pas takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, ai tha se Türkiye beson se problemet midis Ankarasë dhe Athinës, dy aleatët e NATO-s, mund të zgjidhen nëpërmjet të drejtës ndërkombëtare, mjeteve paqësore dhe dialogut.
Akar tha se thelbësore është të zgjidhen problemet, pa ndërhyrjen e palëve të treta.
Mekanizmat e dialogut të ndërsjellë tashmë ekzistojnë, tha ai, duke shtuar se shpresojnë të presin një delegacion grek në Ankara për raundin e katërt të takimeve mbi masat e ndërtimit të besimit.
Akar tha se Ankaraja dëshiron një rajon paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë dhe të shohë pasurinë e Egjeut dhe Mesdheut Lindor të ndahet në mënyrë të drejtë nga vendet në fjalë.
Ai kërkoi që palët e treta, përfshirë BE-në, duhet të zhvillojnë një perspektivë të paanshme mbi marrëdhëniet turko-greke për të kontribuuar në zgjidhjen e problemeve ekzistuese.
I pyetur në lidhje me vendimin e fundit të Washington-it për heqjen e embargos disadekadëshe të armëve ndaj administratës greke qipriote, ministri turk tha se SHBA-ja duhet të ndjekë një politikë të ekuilibruar dhe të paanshme ndaj çështjes së Qipros.
Gjithashtu duke komentuar aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, Akar tha se shqetësimet e Turkiye-s në luftën kundër terrorizmit duhet të merren seriozisht.
"Presim që këto dy vende të ndërmarrin hapa konkretë në përputhje me pritjet e Ankarasë", theksoi ai.
Në lidhje me procesin në vazhdim të shitjes së avionëve F-16 Turkiye-s, Akar tha se shitja do të forcojë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.
"Edhe pse presim një rezultat pozitiv, ka edhe opsione të tjera kur bëhet fjalë për nevojën e forcave tona ajrore për avionë luftarakë të rinj dhe efektivë", tha ai.