Derya Gülnaz Özcan
18 Nëntor 2022•Përditësim: 18 Nëntor 2022
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, është takuar me homologun e tij grek, Nikos Panagiotopoulos, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim janë trajtuar marrëdhëniet bilaterale, çështja e Ukrainës dhe Mesdheu Lindor.
Panagiotopoulos, në deklaratën pas takimit e përgëzoi Gantz-in për marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Libanit lidhur me përcaktimin e kufijve detarë.
"Përbën shembull për të gjithë vendet e rajonit. Tregon qartë se është e mundur të përcaktohen zonat e juridiksionit detar nën kushtin e respektimit të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe dialogut", tha ministri grek rreth marrëveshjes.
Ai theksoi se të dy vendet janë të vendosura në rritjen e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, duke pohuar se Qendra Ndërkombëtare për Trajnim të Fluturimit në Kalamata është një nga shembujt e bashkëpunimit bilateral.
Gantz, nga ana tjetër, në një postim në Twitter theksoi se takimi pasqyron lidhjet e forta strategjike mes Izraelit dhe Greqisë.
Ai shtoi se në takim janë fokusuar në kërcënimet e sigurisë, bashkëpunimin në mbrojtje, trajnimet ushtarake dhe projektet industriale.
"Gjithashtu përsërita angazhimin e Izraelit për të kontribuuar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal duke e marrë përsipër detyrën e urës mes shteteve", theksoi Gantz.