Bota

Mijëra peshq të ngordhur në Australi si pasojë e valës së të nxehtit

Shumica e peshqve të ngordhur, të gjetur në zonën "Sunset Strip" përgjatë brigjeve të Liqenit Menindee, ishin të llojit vendas "krapi eshtëror"

Islam Uddin  | 04.02.2026 - Përdıtësım : 04.02.2026
Mijëra peshq të ngordhur në Australi si pasojë e valës së të nxehtit

Stamboll

Vala e të nxehtit në pjesën më perëndimore të shtetit australian të Uellsit të Ri Jugor ka shkaktuar ngordhjen e dhjetëra mijëra peshqve, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.

Shumica e peshqve të ngordhur, të gjetur në zonën "Sunset Strip" përgjatë brigjeve të Liqenit Menindee, ishin të llojit vendas "krapi eshtëror" (bony bream), si dhe disa krapë të tjerë, raportoi ABC News.

Ngordhja masive pasoi temperaturat rekord të javës së kaluar, të cilat arritën pothuajse 50 gradë Celsius, përpara se të pasonte një rënie e menjëhershme e temperaturave.

Banori lokal Darryn Clifton zbuloi sasinë e madhe të peshqve të ngordhur të hënën, teksa po shkonte për peshkim.

"Isha i tronditur - por duke pasur parasysh temperaturat, krapët eshtërorë janë të parët që pësojnë", tha ai.

Rojtarët e Lumit Barkandji, të cilët monitorojnë liqenet, konfirmuan se qindra peshq të ngordhur janë larguar tashmë nga rrugët ujore përreth.

Autoritetet thonë se shkaku kryesor i ngordhjes masive ishte nxehtësia ekstreme.

Australia po i ndien gjithnjë e më shumë pasojat e ndryshimeve klimatike, me rritjen e kërcënimeve nga zjarret në pyje dhe ngjarjet ekstreme të motit që rrezikojnë jetët e njerëzve, shtëpitë, ekonominë dhe mjedisin, sipas një raporti të qeverisë së Uellsit të Ri Jugor.

Në një raport të fundit, Forumi Ekonomik Botëror paralajmëroi se rritja e nivelit të detit mund të kërcënojë 1,5 milion australianë deri në vitin 2050, ndërsa ngjarje ekstreme të motit si valët e të nxehtit, përmbytjet dhe zjarret në pyje e vendosin gjithë vendin në rrezik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın