Enes Canlı
03 Qershor 2022•Përditësim: 04 Qershor 2022
Kompania amerikane e teknologjisë Microsoft njoftoi se ka parandaluar përpjekjet për sulm kibernetik kundër disa kompanive, përfshirë kompani nga industria e mbrojtjes dhe sektori financiar në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, kompania njoftoi se kishte pezulluar 20 llogari në sistemin e saj të skedarëve cloud me arsyetimin se kishte sulm kibernetik ndaj disa kompanive në Izrael, përfshirë industrinë e financave dhe të mbrojtjes.
Njësia e sigurisë virtuale e Microsoft-it njoftoi se ka gjetur gjurmë se grupi i hakerëve me bazë në Liban "Polonium" ka luajtur një rol në sulmet kundër Izraelit.
Theksohet se kishte shenja se grupi në fjalë po bashkëpunonte me autoritetet iraniane sepse përdorte taktika të ngjashme me grupet e hakerëve me bazë në Iran.
Microsoft shpjegoi se një bashkëpunim i tillë ose manipulimi i Teheranit, mund të lidhet me lajmet nga fundi i vitit 2020 se "Irani po përdor palë të treta për të kryer sulme kibernetike në emër të tij".
Thuhet se grupi i hakerëve me bazë libaneze Polonium përdori taktika të ngjashme me sulmet kibernetike të kompanive izraelite nga grupe që më parë ishin njoftuar se ishin të lidhur me Iranin.
Sulmet kibernetike që i atribuohen Iranit u shtuan në Izrael.
Grupi i quajtur “Black Shadow” në Izrael më 14 mars mori përgjegjësinë për sulmin kibernetik në faqen zyrtare të Kryeministrisë si dhe faqet e Ministrive të Brendshme, Shëndetësisë, Drejtësisë dhe Çështjeve Sociale.
Autoritetet izraelite më parë e kishin shpallur Black Shadow si një "grup piraterie të lidhur me regjimin iranian". Zyrtarët e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes njoftuan se incidenti i 14 marsit ishte sulmi më i madh kibernetik kundër Izraelit.
Black Shadow ka kryer më parë sulme kibernetike në shkallë të gjerë në Izrael.
Grupi i hakerëve Open Hands, i cili thuhet se është i lidhur me Iranin ka publikuar formularë tatimorë dhe informacione të reja personale që i përkisnin kreut të Agjencisë Izraelite të Inteligjencës së Jashtme Mossad, David Barnea.