Ömer Faruk Yıldız
14 Prill 2021•Përditësim: 14 Prill 2021
Një gjykatë e lidhur me ushtrinë që rrëzoi qeverinë e zgjedhur me një grusht ushtarak në Mianmar dha dënim me vdekje edhe ndaj 6 personave të tjerë që ndodhen nën arrest, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e televizionit MRTV që i përket ushtrisë së Mianmarit njoftohet se dënimi me vdekje ndaj 6 aktivistëve kundër grushtit të shtetit është dhënë me arsyen se kanë shkelur ligjin penal i cili parashikon dënim ndaj atyre që nxitin popullin.
Gjykata ushtarake që nga grushti i shtetit e deri më tani dënimin e parë me vdekje e dha më 10 prill ndaj 19 personave kundërshtarë të grusht shtetit që ndodheshin nën arrest.
Për 19 personat nën arrest ishte njoftuar se ishin përgjegjës për vrasjen e një ushtari në Yangon më 27 mars.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.