Ayhan Şimşek
14 Dhjetor 2017•Përditësim: 14 Dhjetor 2017
BERLIN (AA) - Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kritikuar Presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk për kundërshtimin e tij ndaj kuotave të detyrueshme të refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për gazetarët të enjten para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, Merkel theksoi se nevojitet solidaritet më i fortë midis vendeve anëtare të BE-së për ta trajtuar krizën e refugjatëve.
"Sipas mendimit tim, nuk mund të ketë solidaritet selektiv midis shteteve anëtare të BE-së", theksoi ajo, në një kritikë indirekte për Tusk, i cili më herët këtë javë tha se kuotat e detyrueshme kanë qenë "përçarëse" dhe "joefektive".
Merkel tha se drafti i politikave për migrimin i përgatitur nga Tusk dhe i shpërndarë me liderët para samitit nuk është i mjaftueshëm.
Kancelarja gjermane nënvizoi se trajtimi i krizës së refugjatëve nuk është i mundur vetëm duke marrë masa për kufijtë e jashtëm të BE-së.
"Ne gjithashtu kemi nevojë për solidaritet brenda BE-së," tha ajo, duke iu referuar situatës së vështirë të Italisë dhe Greqisë, vende të cilat kanë qenë pikat kryesore të hyrjes në BE për shumicën e refugjatëve dhe migrantëve.
Qeveritë e Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë vazhdojnë të kundërshtojnë relokimin e refugjatëve nga Italia dhe Greqia, pavarësisht nga marrëveshja e arritur nga Këshilli i BE-së në vitin 2015.
Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka bërë thirrje për një diskutim të hapur dhe të sinqertë mbi migrimin në letrën e tij në të cilën ftoi liderët e BE-së për samitin dyditor në Bruksel.
Në një shënim prej dy faqesh të bashkangjitur në letrën e tij, Tusk kërkoi përpjekje më të forta për të luftuar kundër njerëzve që përfshihen në kontrabandë dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
"Çështja e kuotave të detyrueshme ka dëshmuar të jetë shumë përçarëse, ndërsa qasja ka tërhequr vëmendje joproporcionale për sa i përket ndikimit të saj në terren dhe, në këtë aspekt, ka rezultuar të jetë joefektive", tha ai.