Gamze Türkoğlu Oğuz
11 Nëntor 2020•Përditësim: 12 Nëntor 2020
Organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit kanë shprehur shqetësimin pas vrasjes së 3 gazetarëve brenda 10 ditëve në Meksikë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve "Gazetarët pa Kufij" dhe Shoqata e lirisë së shtypit "Inter Amerikan" u kanë bërë thirrje zyrtarëve meksikanë që të bëjnë më shumë për të mbrojtur dhe për të hetuar vrasjet e gazetarëve.
Drejtuesi i Organizatës "Gazetarët pa Kufij" për Amerikën Latine, Emmanuel Colombie tha se gazetarët janë bërë më të pambrojtur dhe më të prekshëm nga hakmarrja në shtetet meksikane që janë të përfshira në korrupsion dhe krim të organizuar.
Jorge Canahuati, kreu i Shoqatës së lirisë së shtypit "Inter Amerikan" tha se "Është shokuese që në Meksikë vazhdon vrasja e gazetarëve dhe se kjo përkeqësohet edhe më tej kur nuk ka drejtësi për krimet e kryera ndaj gazetarëve dhe të afërmëve të tyre".
Drejtuesi i emisionit të lajmeve në një televizion, Arturo Alba Medina, u qëllua për vdekje më 29 tetor në qytetin kufitar Ciudad Juarez në Meksikë.
Më 2 nëntor në rajonin Sonora u vra edhe gazetari për lajmet nga interneti dhe fotografi, Jesus Alfonso Pinuelas.
Së fundmi më 9 nëntor, Israel Vazquez Rangel, gazetar që punonte për një gazetë online në Guanajuato u vra si pasojë e një sulmi nga persona të armatosur derisa ishte në terren për lajme.
Përfaqësuesi i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Jan-Albert Hootsen tha se "Vrasja arrogante e Israel Vazquez Rangel tregon se Meksika për gazetarët është më e rrezikshme se rajonet e luftës".
Sipas Komitetit, Meksika në vitin 2020 ka qenë vendi më vdekjeprurës për gazetarët.