Media amerikane: Rritet pakënaqësia e Trumpit me Netanyahun
Zemërimi i Trumpit ka arritur kulmin javën e kaluar pasi Izraeli goditi negociatorët e Hamasit në Katar. "Ai po tallet me mua", ka thënë Trump për Netanyahun, raportoi "The Wall Street Journal"

Ankara
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është bërë gjithnjë e më i frustruar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe u ka thënë ndihmësve të tij se Netanyahu po minon përpjekjet e tij për një armëpushim të negociuar duke favorizuar një fushatë ushtarake për të detyruar Hamasin të dorëzohet, sipas një lajmi në median amerikane, transmeton Anadolu.
Zemërimi i Trumpit ka arritur kulmin javën e kaluar pasi Izraeli goditi negociatorët e Hamasit në Katar, një operacion që kërcënoi bisedimet e brishta. "Ai po tallet me mua", ka thënë Trump për Netanyahun, raportoi "The Wall Street Journal", duke cituar zyrtarë të njohur me çështjen.
Pavarësisht komenteve të tilla të ashpra private, Trump ka shmangur përballjen publike. Ai vazhdon të nxjerrë në pah rolin e tij në ndërmjetësimin e Marrëveshjeve Abrahamike dhe e reklamon Netanyahun si partner, edhe pse Izraeli po kryen ofensivë të madhe në qytetin e Gazës. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio udhëtoi në Izrael këtë javë pa lëshuar kritika të reja.
Hezitimi i Trumpit për t'u shkëputur nga Netanyahu pasqyron si llogaritjet politike ashtu edhe lidhjet personale, tha "The Wall Street Journal", duke shtuar se udhëheqësi izraelit mban mbështetje të fortë midis Republikanëve dhe mediave konservatore, dhe qeveria e tij është përpjekur ta lajkatojë Trumpin, së fundmi duke i kushtuar një shëtitore bregdetare emrit të tij.
"Netanyahu e di se, ndërsa Shtëpia e Bardhë mund të ankohet pak, nuk ka asnjë anë negative të një qasjeje 'kërko falje, jo leje'", ka thënë Damian Murphy, ish-ndihmës i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.
Për momentin, presioni i Trumpit mbetet i përqendruar te Hamasi, duke e paralajmëruar grupin se do të përballet me më shumë dhunë nëse nuk liron pengjet dhe nuk çarmatoset. Analistët thonë se strategjia e Netanyahut për të ndjekur fitoren në fushëbetejë bie ndesh me dëshirën e Trumpit për një fitore diplomatike që ai mund ta shfaqë në skenën globale.
Megjithatë, ish-ambasadori izraelit Michael Oren sugjeroi se zemërimi i Trumpit mund të jetë i përkohshëm. "Ka shumë mundësi që, nëse operacioni ynë në Doha do të kishte sukses, Trump nuk do ta kishte dënuar atë. Ai do të kishte marrë meritat për të", u citua Oren nga "The Wall Street Journal", duke shtuar: "Atij i pëlqejnë fituesit".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.