Fatma Esma Arslan
01 Shkurt 2018•Përditësim: 02 Shkurt 2018
ANKARA (AA) - Llogaritë në rrjetet sociale të afërta me organizatën terroriste PYD/PKK për diskreditim të operacionit "Dega e Ullirit" të nisur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) në Afrin kanë shpërndarë një fotografi të ushtarëve izraelite me gënjeshtrën “Gjendja e ushtarëve turq përballë YPG-së”, raporton Anadolu Agency (AA).
Fotografia e publikuar nga llogaritë mbështetëse të organizatës terroriste me pretendim se “TSK po i vret fëmijët në Afrin”, është zbuluar se në të vërtetë i përket fëmijëve që kanë vdekur si pasojë e sulmit të DEASH-it më 30 mars të vitit 2014.

Nëpërmjet llogarive të tilla është shpërndarë një fotografi e helikopterit rus, i cili ka rënë në Siberi më 22 tetor të vitit 2016, me pretendimin se "është rrëzuar një helikopter i TSK-së në Afrin”.

Llogaritë e afërta me organizatën të cilat mbështesin propagandën e zezë u përpoqën që ta tregojnë ushtarin izraelit sikur të ishte një ushtar turk.
Është zbuluar se fotografia e shpërndarë me pretendimin “Gjendja e ushtarëve turq përpara YPG-së”, është bërë në qytetin Ashdod të Izraelit më 19 nëntor të vitit 2012.

Poashtu edhe dje ishte zbuluar se në fotografinë e ushtarit me flamur të Turqisë, të shkrepur nga AA, më 28 janar të vitit 2018, në kodrën Burseya, është bërë montazh flamuri i organizatës së DEASH-it.
Mbështetësit e organizatës janë pa rrugëdalje pasi AA nisi të zbulojë vendet dhe periudhat e ndryshme në të cilat janë shkrepur fotografitë e përdorura në fushatën e nisur në rrjetet sociale për të njollosur TSK-në dhe operacionin “Dega e Ullirit”.
Në llogaritë e mbështetësve të organizatës terroriste ku fëmijët e Gutës Lindore paraqiten si të Afrinit, fotografia e cila ka marrë vendin e parë në AA Istanbul Photo Awards në vitin 2016 është postuar sikur është në Afrin ndërkaq fotografia e shkrepur gjatë ceremonisë së varrimit të pylltarit dhe civilëve të rënë dëshmorë në vitin 2007 në Şırnak, është shpërndarë me gënjeshtrën “Vriten ushtarë turq në Afrin".