Ömer Tuğrul Çam
22 Qershor 2022•Përditësim: 22 Qershor 2022
Mbështetja e dhënë për anëtarësim në BE në vendet e Bashkimit Evropian (BE) është rritur pasi Rusia sulmoi Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas anketës "Eurobarometer Pranverë 2022" të porositur nga Parlamenti Evropian, 65 për qind e evropianëve e shikojnë si një "gjë të mirë" anëtarësimin në BE.
Kjo normë thuhet se është pikëpamja pozitive më e lartë për anëtarësim në BE që nga viti 2007, e cila në vitin 2007 ka qenë 58 për qind.
Kjo normë ka mbetur nën 50 për qind vetëm në 6 vende anëtare, të cilat janë Sllovakia, Greqia, Austria, Rumania, Bullgaria dhe Italia.
Ndërsa 5 vendet e para ku anëtarësimi në BE është vërejtur si "një gjë e mirë" janë Luksemburgu, Irlanda, Lituania, Portugalia dhe Danimarka.
Gjithashtu në anketë, 52 për qind e evropianëve janë shprehur se BE-ja ka një imazh pozitiv, ndërsa 12 për qind e tyre se imazhi është negativ.
- Liri apo kostot jetese?
Në aspektin për të treguar përparësinë e evropianëve pas luftës në Ukrainë, pjesëmarrësit janë pyetur në anketë edhe mbi preferencat mes kostos së jetesës dhe mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë.
Thuhet se 59 për qind e pjesëmarrësve në anketë kanë theksuar se liria dhe demokracia vjen para kostove të jetesës. Ndërsa 39 për qind e evropianëve janë shprehur se duhet t'u jepet përparësi ndalimit të rritjes në koston e jetesës.
Danimarka, Suedia, Finlanda, Holanda dhe Luksemburgu janë vendet me numrin më të madh të njerëzve që kanë deklaruar se "vlerat evropiane si liria dhe demokracia duhet të jenë të parat", ndërsa Bullgaria, Hungaria, Malta, Rumania, Qiproja Greke dhe Greqia janë vendet që i kanë dhënë prioritet kostove të jetesës.