Mbretëria e Bashkuar raporton 5 raste të reja të meningjitit në Kent
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore njoftoi se numri i rasteve të meningjitit në Kent të Anglisë është rritur në 20 pasi u identifikuan pesë raste të reja
Londër
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) ka bërë të ditur se numri i rasteve të meningjitit në Kent të Anglisë është rritur në 20 pasi u identifikuan pesë raste të reja, transmeton Anadolu.
UKHSA-ja tha se nëntë raste janë konfirmuar në laborator ndërsa 11 të tjera mbeten nën hetim, duke e çuar totalin në 20, nga 15 që ishte më parë.
Agjencia shtoi se një person që kishte banuar në Kent u paraqit në një spital në Londër, por nuk kishte kontakte në komunitetin e kryeqytetit. "Të gjithë të prekurit që aktualisht lidhen me shpërthimin janë të rinj në moshë të rritur", tha agjencia.
Shpërthimi është gjurmuar deri te një klub nate në Canterbury, Kent. UKHSA tha se si masë shtesë parandaluese do të nisë një program i synuar vaksinimi, duke filluar me studentët që jetojnë në konviktet e kampusit në Universitetin e Kentit në Canterbury.
"Kjo është një situatë që po zhvillohet me shpejtësi dhe mund të ketë raste të tjera, pasi personat me simptoma inkurajohen të kërkojnë këshillë mjekësore", shtoi UKHSA.
Duke folur për BBC, ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting tha se autoritetet po e menaxhojnë shpërthimin "në mënyrë proaktive" dhe shtoi se "rreziku i përgjithshëm është i ulët, megjithëse vetë sëmundja është jashtëzakonisht serioze".
Dy persona kanë vdekur nga ky shpërthim, një student universitar 21-vjeçar dhe një adoleshent në Faversham.
Sëmundja meningokokale është një sëmundje e rrallë, por serioze, e shkaktuar nga bakteret meningokoke. Në disa raste, ajo mund të çojë në gjendje të rënda si meningjiti dhe septikemia (helmimi i gjakut), që mund të përparojë shpejt në sepsë.
Fillimi i sëmundjes është shpesh i menjëhershëm dhe diagnoza e hershme si dhe trajtimi me antibiotikë, janë jetike.
Simptomat mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, frymëmarrje të shpejtë, përgjumje, dridhje, të vjella, një skuqje karakteristike në lëkurë, si dhe duar dhe këmbë të ftohta.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
