Bota

Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja njoftojnë arritjen e marrëveshjes për Brexit-in

“Aty ku ekziston një vullnet, ka një marrëveshje, ne kemi një”, tha Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian

Ahmet Gürhan Kartal  | 17.10.2019 - Përdıtësım : 17.10.2019
Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja njoftojnë arritjen e marrëveshjes për Brexit-in

Londër

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë arritur një marrëveshje të re për Brexit-in para samitit dyditor të Këshillit të BE-së që fillon sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Aty ku ekziston vullnet, ka marrëveshje, e kemi një”, tha në Twitter Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian.

“Është një marrëveshje e drejtë dhe e ekuilibruar për BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe është dëshmi për angazhimin tonë për të gjetur zgjidhje. Rekomandoj që Komisioni Evropian ta miratojë këtë marrëveshje”, shkroi Juncker.

Duke konfirmuar marrëveshjen, kryeministri britanik, Boris Johnson, po ashtu njoftoi marrëveshjen në llogarinë e tij në Twitter.

“Ne kemi një marrëveshje të re të shkëlqyer që kthen kontrollin, tani Parlamenti duhet ta përfundojë Brexit-in të shtunën, në mënyrë që të mund të kalojmë në përparësi të tjera si kostoja e jetesës, shërbimi shëndetësor, krimi i dhunshëm dhe ambienti ynë”, shkroi Johnson.

Johnson do ta paraqesë marrëveshjen në parlamentin britanik të shtunën për një votim domethënës.

Siç është vendosur, Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga blloku më 31 tetor nëse marrëveshja ratifikohet nga parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dhe nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.