Bota

Mbi 72 mijë zjarre në pyjet e Amazonit që nga fillimi i vitit

Instituti Nacional i Vrojtimeve Hapësinore (INPE) tha në një deklaratë se numri i zjarreve në rajonin e Amazonit është rritur për 83 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Muhammet Nusret Altun  | 21.08.2019 - Përdıtësım : 23.08.2019
Mbi 72 mijë zjarre në pyjet e Amazonit që nga fillimi i vitit

Ankara

Mbi 72 mijë zjarre kanë përfshirë pyjet e Amazonit në Brazil që nga fillimi i këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti Nacional i Vrojtimeve Hapësinore (INPE) tha në një deklaratë se numri i zjarreve në rajonin e Amazonit është rritur për 83 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raportoi BBC.

Siç thuhet në deklaratë, mbi 72 mijë zjarre kanë përfshirë pyjet Amazonit nga 1 janari, kurse më tepër se 9.500 zjarre kanë ndodhur në Brazil që nga dita e enjte, shumica po ashtu në rajonin e Amazonit.

Në maj të këtij viti, organizata Imazon, e cila merret me hulumtime mbi ruajtjen e gjallesave dhe shpyllëzimin në Amazon, njoftoi se zjarret kanë shkaktuar zhdukjen e rreth dy mijë kilometrave katrorë pyje nga gushti i vitit 2018 deri në prill të vitit 2019.

INPE po ashtu ka njoftuar se 920 kilometra katrorë pyje janë zhdukur në qershor të këtij viti dhe një mijë në korrik.

Ndërkohë, presidenti Jair Bolsonaro ka pohuar se INPE "mund të ketë publikuar shifra çorientuese" mbi shkatërrimin e pyjeve në mënyrë që ta komprometojë qeverinë, duke shtuar se zyrtarët që kanë ofruar shifra "të dyshimta" do të largohen menjëherë nga detyra.

Mbrojtja e Amazonit ka qenë një nga elementet më të rëndësishme të politikave ambientaliste të Brazilit para ardhjes së Bolsonaros, i cili para zgjedhjes kishte theksuar se mbrojtja e Amazonit pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe kishte premtuar hapjen e kësaj hapësire për përdorim tregtar.

Nga ana tjetër, shkencëtarët theksojnë se ruajtja e pyjeve të Amazonit, pyjet më të mëdha të shiut në botë, luan rol të madh në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın