Tayfun Salcı
30 Gusht 2017•Përditësim: 30 Gusht 2017
LONDËR (AA) – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, i vlerëson si “ilegale” testimet e raketave balistike të Koresë së Veriut, duke u shprehur se “Këto në masë të madhe janë veprime provokative”, transmeton Anadolu Agency (AA).
May e cila udhëtoi në Japoni për një vizitë zyrtare, në avion dha deklarata për gazetarët britanikë. “Veprimet e Koresë së Veriut janë ilegale. Këto në masë të madhe janë veprime provokative”, thotë May, duke theksuar se Britania së bashku me partnerët ndërkombëtarë do t’i bëjë presion Koresë së Veriut që të mos realizojë aktivitete të ngjashme.
Duke rikujtuar se në Samitin G20 në Hamburg me presidentin e Kinës, Xi Jinping, kanë diskutuar për Korenë e Veriut, ajo thotë se “Kina ka një rol kyç në aspektin e të bërit presion ndaj Koresë së Veriut. Ne e inkurajojmë Kinën që të bëjë gjithçka që mundet në këtë aspekt."
Ndërkaq, May nuk iu përgjigj pyetjeve se çfarë qëndrimi ka Britania e Madhe për alternativat e veprimeve ushtarake apo të luftës kibernetike ndaj Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut dje në orët e hershme të mëngjesit kishte realizuar testim të raketës balistike dhe raketa e cila kishte kaluar mbi Japoninë kishte rënë në oqean.
Kontaktet në Japoni
Ndërkaq në lidhje me pyetjen për vizitën 3 ditore në Japoni, May tha se “Ne në Japoni, që është partneri jonë më i afërt i sigurisë në Azi, do të diskutojmë për marrëdhëniet më të ngushta në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe luftës kundër terrorizmit. Kjo në botën e cila çdo ditë e më shumë po bëhet më e pasigurt, është më e rëndësishme se kurrë më parë."
Në kuadër të vizitës së saj May sot në qytetin Kyoto do të takohet me homologun japonez, Shinzo Abe.
Në takimet mes liderëve të dy shteteve njëra prej çështjeve të rëndësishme që do të diskutohet pritet të jetë procesi i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian (Brexit).