Ahmet Gençtürk
09 nëntor 2021•Përditësim: 09 nëntor 2021
Burimet diplomatike italiane kanë bërë të ditur se marrëveshja për përcaktimin e kufijve detarë midis Greqisë dhe Italisë që dje ka hyrë në fuqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë në një deklaratë njoftoi se të dy vendet shkëmbyen mjetet e ratifikimit të marrëveshjes gjatë një vizite zyrtare në Romë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias.
Në deklaratë thuhet se gjatë takimit me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, u trajtua edhe bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe ekonomisë, si dhe zhvillimet rajonale, veçanërisht në lidhje me Libinë dhe Mesdheun Lindor.
Sipas agjencisë zyrtare italiane të lajmeve ANSA, Dendias akuzoi Turqinë për "shkelje në Mesdheun Lindor" dhe kërcënim ndaj Greqisë.
Turqia, teksa kërkon të mbrojë pjesën e saj të drejtë të territorit detar në Mesdheun Lindor, ka denoncuar lëvizjet e fundit provokuese greke si militarizimi i ishujve të Egjeut që janë çmilitarizuar në bazë të një traktati, alarmet lundruese (Navtex) që shkelin paktet e vjetra dhe shkeljet e paligjshme në shelfin kontinental të Turqisë.
Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet për kufijtë detarë të Greqisë dhe administratës së qipros greke, duke theksuar se këto pretendime të tepruara shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.
Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon, duke përfshirë mosmarrëveshjet detare, përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.
Gjithashtu, mes dy ministrave u diskutua edhe për zbatimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës së BE-së për trajtimin e efekteve ekonomike të pandemisë, bashkëpunimin kundër migracionit të parregullt dhe zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Dendias sot u prit nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Paroli.
Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë njoftoi se në takim u bisedua për zhvillimet dypalëshe dhe rajonale, para vizitës së planifikuar të Papa Françeskut në Greqi në datat 4-6 dhjetor.
Greqia, një vend kryesisht ortodoks, ka një pakicë prej mbi 50.000 katolikë, duke përjashtuar emigrantët, të cilët janë kryesisht të përqendruar në ishujt në detin Egje dhe Jon.