Barış Seçkin
16 shtator 2022•Përditësim: 19 shtator 2022
Është rritur në 10 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve që kanë prekur vendbanimet në afërsi të qytetit Ancona në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë italiane ANSA, reshjet intensive në rajonin Marche në lindje të vendit kanë shkaktuar përmbytje.
Në katastrofën e përmbytjes së përjetuar pas reshjeve intensive mbrëmë në rajon, kanë humbur jetën 10 persona.
Ndërkohë në katastrofën e përmbytjeve thuhet se janë 4 persona janë të zhdukur, përfshirë 2 fëmijë.
Për shkak të përmbytjeve rrugët dhe bulevardet në vendbanimet si Otra, Trecastelli dhe Senigallia janë mbuluar në disa vende me ujë dhe baltë.
Pas përmbytjeve për punimet e kërkim-shpëtimit në Marche u dërguan ekipe shtesë të zjarrfikëseve nga zonat fqinje si Lombardia, Abruzzo dhe Emilia-Romagna.
Në rajonin ku ndodhi katastrofa e përmbytjeve thuhet se për 2 deri në 3 orë ka rënë 420 milimetra reshje.
Kryetari i Bashkisë Sassoferrato në rajonin e goditur nga përmbytja, Maurizio Greci tha se nuk kanë marrë ndonjë paralajmërim të veçantë për katastrofën me të cilën po përballen dhe se është bërë paralajmërim vetëm në nivel "të verdhë" (të mesëm) se mund të ketë erë dhe reshje.
Përgjegjësi rajonal i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Italisë, Stefano Aguzzi në një deklaratë për ANSA ka informuar se kushtet e këqija të motit që kanë prekur rajonin Marche, nuk priteshin në këtë nivel dhe se kryesisht përmbytja e lumit Misa ka ndodhur papritur.
"Në disa pika nuk kishte kohë për të ndërhyrë. Mund të ketë njerëz që mund të kenë dalë jashtë pa e kuptuar rrezikun", tha Aguzzi.
"Në rajon u përjetuan momente tmerri"
Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio i cili ka shkuar në rajon tha se "Me ujin në sasi të jashtëzakonshme në rajon janë përjetuar me të vërtetë momente tmerri".
Kreu i administratës rajonale Marche, Francesco Acquaroli ka deklaruar se pas katastrofës së ujit në rajone ka marrë telefonata solidariteti dhe mbështetjeje nga presidenti Sergio Mattarella dhe kryeministri, Mario Draghi.