Tevfik Durul
25 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
SEUL (AA) - TEVFİK DURUL
Ambasadori i Turqisë në Seul, Arslan Hakan Okçal, tha se marrëdhëniet e Turqisë dhe Koresë në vitin e 60-të të tyre kanë hyrë në një periudhë të re.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) në kryeqytetin Seul, Okçal dha vlerësimet e tij lidhur me marrëdhëniet dypalëshe në vitin e 60-të të marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Koresë së Jugut, për vitin e kulturës turke dhe ngjarjet kulturore në këtë vend.
Okçal theksoi se në kulturat e Lindjes së Largët, të cilat përdorin kalendarin hënor, 60 vite simbolizojnë një jetë njerëzore. "Nga ky aspekt, Koreja e Jugut i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve miqësore dhe vëllazërore me Turqinë, të cilat hyjnë në vitin e 60-të", tha ai.
Viti i Kulturës Turke në Korenë e Jugut
"Marrëdhëniet Turqi-Kore janë duke hyrë në një pierudhë të re", u shpreh Okçal, duke shtuar se në vitin e 60-të të këtyre marrëdhënieve, është shpallur "Viti i Kulturës Turke".
Duke bërë të ditur se përgjatë vitit në këtë vend kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish, Okçal tha se në kuadër të këtyre programeve, më 27 tetor në Seul do të zhvillohet gala e filmit "Ajla", e cila trajton marrjen në mbrojtje të një fëmije jetim vendas nga një oficer turk gjatë luftës së Koresë dhe se ky film është film i nominuar i Turqisë për Çmimin Oscar.
"Koreja e Jugut është një vend ku marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe kulturore kanë qenë gjithmonë shumë të mira", tha më tej Okçal, për të shtuar se ka një vullnet të përbashkët për të rritur reciprokisht edhe më tej marrëdhëniet aktuale.
Interes i lartë për kulturën turke
Okçal, rikujtoi se vitin e kaluar, 300 mijë turistë koreanë kanë vizituar Turqinë dhe tha se "populli korean ka një interes të lartë për kulturën turke".
Ndër të tjera, ambasadori Okçal vuri në dukje se Turqia dhe Koreja e Jugut janë vende me peshë rajonale dhe se "qeveria e Seulit është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Turqisë për sa i përket problemit të refugjatëve sirianë".
Duke përshkruar vazhdimin e kontakteve reciproke të nivelit të lartë midis dy vendeve, Okçal shpjegoi se në fillim të vitit të ardhshëm, në agjendë është zhvillimi i vizitës zyrtare të presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Korenë e Jugut.
Më tej duke bërë të ditur se me Korenë e Jugut kanë vendosur në zbatim një sërë projektesh për mbrojtje të përbashkët, në veçanti për obusët K9 dhe tanket Altay, Okçal theksoi se janë në kontakt të vazhdueshëm për projekte të reja të bashkëpunimit.
Strukturimi i FETO-s në Korenë e Jugut
Pasi ka cekur edhe strukturimin e organizatës terroriste FETO në Korenë e Jugut, ambasadori Okçal tha se FETO në këtë vend menaxhon vetëm një shkollë dhe disa restorante.
Ambasadori Okçal po ashtu vuri në dukje se sipas ligjeve të vendit, qytetarët e Koresë nuk mund të arsimohen në shkollat e huaja, duke theksuar se në shkollën e FETO-s ndodhen rreth 100 nxënës, kryesisht indonezianë, filipinas dhe turq.
Okçal shtoi se kanë qenë të përfshirë në iniciativat e nevojshme para qeverisë koreane për mbylljen e kësaj shkolle.