Cüneyt Karadağ
21 Korrik 2019•Përditësim: 21 Korrik 2019
Kompania ajrore gjermane Lufthansa dhe ajo britanike British Airways kanë njoftuar se kanë pezulluar fluturimet në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, për arsye sigurie, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e kompanisë të bërë për ueb faqen Tagesschau, është theksuar se për Lufthansa çështja e sigurisë çdo herë ka qenë prioriteti më i parë dhe më i rëndësishëm.
"Pas vlerësimeve të bëra kemi pezulluar përkohësisht fluturimet tona në Kajro", thuhet nga Lufthansa.
Nga kompania nuk u njoftua se kur dhe sa fluturime janë pezulluar.
Gjithashtu edhe kompania britanike British Airways kishte njoftuar se ka pezulluar për një javë fluturimet në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, për arsye sigurie.
"Rregullimet e sigurisë gjithmonë i shqyrtojmë në çdo aeroport në të gjitha vendet e botës dhe kemi pezulluar për shtatë ditë fluturimet në Kajro për të marrë masa për të mundësuar më shumë vlerësime", thuhet nga British Airways.