Mahmoud Barakat
25 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Liga Arabe ka dënuar vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e sovranitetit izraelit mbi Golanin sirian të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Liga Arabe theksoi se “njoftimi amerikan në asnjë mënyrë nuk e ndryshon statusin ligjor të Golanit”.
“Lartësitë e Golanit mbeten territore siriane të pushtuara. E gjithë kjo do të trajtohet në samitin e Ligës Arabe të javës së ardhshme në Tunizi”, theksoi Liga Arabe.
Më tej, Liga Arabe pohoi se “legjitimi i pushtimit izraelit është orientim i ri i politikës së SHBA-ve, i cili është bërë plotësisht i pajtueshëm me pozicionet dhe qëndrimet e Izraelit”.
Sot më herët, Trump nënshkroi një deklaratë presidenciale gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me anë të të cilës zyrtarisht njohu si territor të Izraelit lartësitë strategjike në kufirin me Sirinë.
Trump tha se territori i pushtuar është “një terren i mundshëm për nisjen e luftimeve kundër Izraelit”.
Izraeli gjatë kohë ka lobuar që SHBA-të të njohin kërkesën mbi Lartësitë e Golanit, por administratat e kaluara refuzuan thirrjet.
Shteti i vetëshpallur hebre i pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria gjatë luftës gjashtëditore të vitit 1967.
Izraeli ka pushtuar rreth dy të tretat e luginave më të gjera të Golanit dhe zyrtarisht i aneksoi në vitin 1981, një veprim i kundërshtuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.