Dilan Pamuk
04 Janar 2022•Përditësim: 04 Janar 2022
Liderët e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Jemenit zhvilluan një takim të nivelit të lartë të hënën në Dubai për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takimin në panairin Expo 2020 që mbahet në Dubai, zv/presidenti dhe kryeministri i EBA-së Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum dhe kryeministri i Jemenit Maeen Abdulmalik Saeed shkëmbyen mendime mbi të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve të tyre.
Agjencia e Lajmeve të Emirateve (WAM) raportoi se liderët gjithashtu folën për situata humanitare, si dhe çështje me rëndësi për të dyja palët.
Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve e Jemenit (SABA) tha se Al Maktoum dhe Saeed shprehën dëshirën për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët për të dy vendet dhe në të gjitha nivelet.
Al Maktoum përsëriti qëndrimin e vendosur të EBA-së në mbështetjen e qeverisë jemenase për të tejkaluar sfidat ekzistuese, si dhe në rivendosjen e shtetit dhe stabilitetit ekonomik.
Pas takimit, përmes një postimi në Twitter, ai shprehu vlerësimin të lartë për Jemenin.
"Kur flasim për thellësinë e historisë dhe qytetërimit, flasim për Jemenin. E kur flasim për fisnikërinë e moralit dhe vlerat e nderit, ndershmërisë, krenarisë dhe vëllazërisë, flasim për popullin e Jemenit", u shpreh ai.