Zehra Nur Düz
03 Janar 2020•Përditësim: 03 Janar 2020
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e ka emëruar gjeneralin Ismail Qaani si komandanti i ri i forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, njoftoi media shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qaani do të shërbejë si pasardhësi i Qasem Soleimanit, i cili u vra në një sulm ajror amerikan në Irak të enjten.
Komandanti i ri ka shërbyer si zëvendës i Soleimanit, raportoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA.
Ai gjithashtu ka udhëhequr Brigadën Nasr-5 dhe Imam Reza-21 gjatë luftës Iran-Irak.
Sulmi amerikan në Bagdad, në të cilin u vra Soleimani, erdhi në vazhdën e tensioneve Iran-SHBA, pasi mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të së dielës në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah, në të ciliat u vranë të paktën 25 luftëtarë.
Sulmet ajrore ishin përgjigje të një sulmi me raketa të premten e kaluar në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilën u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani. Sulmi i së premtes la të vrarë një kontraktues amerikan dhe plagosi katër anëtarë të stafit amerikan.
Pentagoni e akuzonte Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.