Jeyhun Aliyev
23 Gusht 2020•Përditësim: 25 Gusht 2020
Liderë nga shtetet e Afrikës Perëndimore kanë realizuar një vizitë në Mali pas grushtit ushtarak të shtetit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Një delegacion nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), i kryesuar nga Goodluck Ebele Jonathan, ish-president i Nigerisë, u prit në aeroport nga junta drejtuese e Komitetit Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP).
Delegacioni u takua në një hotel në kryeqytetin Bamako me zyrtarë të Misionit të Stabilizimit të Integruar Multidimensional të OKB-së në Mali (MINUSMA).
MINUSMA u krijua në vitin 2013 me Rezolutën 2100 të Këshillit të Sigurimit për të stabilizuar vendin pas rebelimit të tuaregëve në vitin 2012. Misioni ka më shumë se 12.000 pjesëtarë të personelit ushtarak të vendosur aktualisht në Mali.
Më vonë, delegacioni u takua me liderin e CNSP-së Assimi Goita dhe shoqëruesit e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, kurse më pas vizitoi kampin ushtarak Kati, 15 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, për të takuar presidentin e rrëzuar të vendit Ibrahim Boubacar Keita.
Delegacioni pritet t’i vazhdojë takimet gjatë ditës.
ECOWAS, i cili u përpoq të ndërmjetësonte në krizën e thelluar midis opozitës dhe Keitas, kishte dërguar delegacione disa herë në rajon, por negociatat ishin jopërfundimtare.
Ndërsa platforma e opozitës, Marshi i Forcave Atdhetare, e njohur edhe si M5-RPF, insistoi në dorëheqjen e Keitas, ECOWAS ka thënë që një opsion i tillë nuk ekziston.
ECOWAS më herët njoftoi se pas dorëheqjes së detyruar të Keitas, kufijtë tokësorë dhe ajrorë të Malit dhe 15 vendeve anëtare janë mbyllur, ndërsa marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare janë pezulluar.
OKB-ja të enjten kërkoi që "rendi kushtetues dhe demokratik" të rivendoset sa më shpejt në Mali. Ajo gjithashtu bëri thirrje për lirimin e Keitas dhe të arrestuarve të tjerë dhe "për mbrojtjen e integritetit të tyre fizik, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre".
Ndryshe, Keita njoftoi dorëheqjen pasi ai dhe kryeministri Boubou Cisse u arrestuan në kampin ushtarak Kati të martën. Mali ishte tronditur nga protestat për disa muaj, ndërsa demonstruesit kërkonin dorëheqjen e presidentit.