Jeyhun Aliyev
23 Gusht 2020•Përditësim: 24 Gusht 2020
Forcat e koalicionit arab të udhëhequra nga sauditët njoftuan të shtunën se shkatërruan një dron të ngarkuar me eksploziv dhe një raketë balistike të shkrepur nga rebelët Huthi në Jemen në territorin e Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i koalicionit, Kolonel Turki al-Maliki, përmes një deklarate tha se bëhet fjalë për një mjet ajror pa pilot i dërguar nga rebelët Huthi në jug të Arabisë Saudite dhe një raketë balistike e shkrepur në Jazan në jug-perëndim, sipas agjencisë saudite të lajmeve SPA.
Ndërsa al-Maliki nuk dha detaje të tjera, nuk kishte asnjë prononcim nga rebelët.
Më herët, al-Maliki njoftoi se një raketë dhe një dron i ngarkuar me eksploziv të shkrepur nga rebelët më 20 dhe 21 gusht gjithashtu u neutralizuan.
Jemeni është zhytur në dhunë dhe kaos që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët filloi fushatën shkatërrimtare ajrore që synonte zmbrapsjen e rebelëve.
Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në një nga krizat më të këqia humanitare në botë, pasi miliona mbeten në rrezik të urisë.