Şahin Demir
18 gusht 2026•Përditësim: 18 gusht 2026
Prokurori i lartë i Libanit urdhëroi të martën ekstradimin e ish-gjeneralit sirian, Adel Issa, në Siri për të dalë në gjyq për krimet që ai akuzohet se ka kryer në territorin sirian, transmeton Anadolu.
Prokurori publik në Gjykatën e Kasacionit, gjykatësi Ahmad Rami al-Haj urdhëroi që Issa, i cili po mbahet në Liban, t'u dorëzohej autoriteteve siriane pasi autoritetet gjyqësore libaneze përcaktuan se ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe gjyqësore për ekstradimin e tij, tha Agjencia Kombëtare e Lajmeve.
Vendimi u bazua në një marrëveshje gjyqësore libanezo-siriane të nënshkruar në vitin 1951, tha NNA.
Al-Haj udhëzoi Departamentin Qendror të Hetimeve Kriminale që ta transferonte Issan nga objekti i tij i paraburgimit në Pallatin e Drejtësisë të Bejrutit në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë.
Ai më pas do të dërgohet në kufirin libanezo-sirian dhe do t'i dorëzohet një komiteti sirian të sigurisë që pret në anën siriane, sipas agjencisë.
Issa ishte një oficer i lartë ushtarak nën qeverinë e rrëzuar të Bashar al Assadit dhe më parë komandonte Divizionin e 17-të të ushtrisë siriane. Ai gjithashtu shërbeu si komandant i forcave tokësore qeveritare në provincën lindore të Deir ez-Zor.
Autoritetet libaneze e arrestuan Issa-n në fillim të këtij muaji pasi ai shkoi në Ambasadën Siriane në Bejrut për dokumente administrative, pas një urdhërarresti sirian kundër tij. Autoritetet siriane e akuzojnë atë për vrasje dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ai i ka mohuar.