Ekip
24 Nëntor 2022•Përditësim: 24 Nëntor 2022
Ligjvënësit libanezë kanë dështuar për të shtatën herë në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit derisa vendi po përballet me një krizë të thellë politike dhe ekonomike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e votimit morën pjesë 110 deputetë të parlamentit prej 128 anëtarësh.
Michel Moawad, një kandidat i mbështetur nga partia e Forcave Libaneze, siguroi 42 vota, shumë më pak se shifra e nevojshme për të fituar raundin e parë, derisa 50 ligjvënës dorëzuan vota të zbrazëta.
Kryeparlamentari Nabih Berri caktoi seancën e radhës së votimit për më 1 dhjetor.
Një kandidat ka nevojë për dy të tretën e votave (86 ligjvënës) në parlament për të kaluar fazën e parë, ndërsa një shumicë absolute nevojitet në raundet pasuese.
Ish-presidenti Michel Aoun u largua nga detyra më 31 tetor, duke i dhënë fund një mandati 6-vjeçar, pa rënë dakord ligjvënësit për një pasardhës.
Që nga viti 2019, Libani po përballet me një krizë të thellë ekonomike, që sipas Bankës Botërore, është një nga krizat më të rënda që ka parë bota në kohët moderne.
Vendi ka mbetur pa një qeveri plotësisht funksionale që nga muaji maj, me kryeministrin Najib Mikati dhe kabinetin e tij që kanë kompetenca të kufizuara në statusin e tyre aktual.