Wassim Samih Seifeddine,Hacer Başer
04 Nëntor 2021•Përditësim: 04 Nëntor 2021
Ministria e Punëve të Jashtme të Libanit dënoi tentativën e Huthive të Jemenit për sulm ndaj Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, ministria reagoi ndaj përpjekjes së Huthive për të sulmuar Arabinë Saudite me dy dronë të ngarkuar me eksploziv.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin dhe qeverinë e Arabisë Saudite përballë çdo sulmi që shkel ligjet dhe konventat ndërkombëtare ndaj sovranitetit, sigurisë, stabilitetit, objekteve civile dhe qytetarëve të Arabisë Saudite”, thuhet në deklaratë.
Në një deklaratë me shkrim nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite më 2 nëntor thuhej se janë neutralizuar dy UAV të ngarkuar me eksploziv të dërguar në Arabinë Saudite nga Huthit e mbështetur nga Irani.
Pas deklaratave të ministrit libanez të Informacionit, George Kardahi, që kritikonte qeverinë e Rijadit në lidhje me Jemenin, u ngritën tensione në marrëdhëniet mes Libanit dhe disa vende të Gjirit, veçanërisht me Arabinë Saudite.
Kryeministri i Libanit, Najib Mikati tha se deklaratat e ministrit të Informacionit janë hedhur poshtë dhe se këto deklarata në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë politikën e Libanit me vendet arabe dhe veçanërisht me Arabinë Saudite.
Ndërkaq, Arabia Saudite dhe Bahreini tërhoqën ambasadorët e tyre nga Libani më 29 tetor ndërsa më 30 tetor Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Libani i kërkoi SHBA-së të veprojë si ndërmjetës për zgjidhjen e krizës pasi vendet në fjalë tërhoqën ambasadorët e tyre nga Bejruti.
Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, po ndodhin përplasje mes Huthive dhe forcave të lidhura me qeverinë.
Huthit kontrollojnë kryeqytetin Sana dhe disa rajone që nga shtatori i vitit 2014 ndërsa që nga marsi 2015 forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Huthive.