Fatih Hafız Mehmet
18 Mars 2018•Përditësim: 19 Mars 2018
PEKIN (AA) - Li Keqiang është rizgjedhur sot për kryeministër të Kinës, që është mandati i tij i dytë, raporton Anadolu Agency (AA).
Keqiang ishte propozim i presidentit Xi Jinping, dhe si i tillë, në kongresin Kombëtar të Popullit, që është organi më i lartë legjislativ në Kinë, morri 2.964 vota nga gjithësej 2.966 delegatë të pranishëm.
Pas votimit, presidenti Xi nënshkroi dekretin për shpalljen e kryeministrit Keqiang, i cili mandatin e parë e fitoi në vitin 2013.
Një ditë më parë, Kongresi Kombëtar i Popullit, me vota unanime i dha besimin për një mandat të dytë presidentit Xi, i cili morri të gjitha votat e delegatëve, 2.970 sosh.
Paralelisht me këtë, presidenti Xi Jinping, ka marrë edhe postin e kreut të Komisionit Qendror Ushtarak.
Ish-kryetari i Komisionit për Anti-korrupsion, Wang Qishan është zgjedhur si zëvendëspresident.
Kujtojmë se javën e kaluar, Kina miratoi ndryshimet ligjore të cilat heqin kufizimet për mandatin e presidentit dhe zëvendëspresidentit. Ndryshimet kushtetuese mundësojnë që dy liderët të jenë në kohë të pacaktuar në pozicionet e tyre.
Ky veprim hapi rrugën që presidenti aktual kinez Jinping të qëndronte në detyrë edhe pas vitit 2023, kur, sipas ligjit të vjetër, përfundonte mandati i tij.