Sultan Çoğalan,Hakan Ceyhan Aydoğan
08 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë Sergej Lavrov, njoftoi se regjimi në Siri ka pezulluar operacionet ushtarake në Halep me qëllim evakuimin e civilëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në mediat ruse theksohet se Lavrov e ka bërë këtë deklaratë për mediat gjatë vizitës së tij në Gjermani ku ndodhet në kuadër të takimit të Këshillit të 23-të të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
"Sot janë pezulluar operacionet në lindje të Halepit për evakuimin e civilëve. Për evakuimin e civilëve po kryhet operacioni më i madh i ndërmarrë deri në këtë kohë. Një autokolonë me një gjatësi 5 km me 8 mijë persona. Unë këtë po e deklaroj nga Hamburgu por kolegët tuaj mund të transmetojnë të dhënat nga Siria" ka thënë Lavrov.
Duke theksuar se vendet perëndimore nuk kanë propozuar hapa konkrete për zgjidhjen e krizës njerëzore në Halep, Lavrov ka vënë në dukje se Rusia në kuadër të vendimit të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara do të vazhdojë të luftojë deri në fund kundër terroristëve në Siri.