Ahmet Gürhan Kartal
09 Nëntor 2021•Përditësim: 10 Nëntor 2021
Shtytja e fundit për pavarësinë e Skocisë përcolli një zë të lartë dhe të qartë gjatë fundjavës në një marshim masiv të mbajtur së bashku me një tubim për ndryshimet klimatike, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizatorët thanë se më shumë se 50.000 njerëz morën pjesë në marshin që paralizoi rrugët e Glasgouit gjatë tërë ditës të shtunën.
Kjo ishte ngjarja e tretë e madhe pro-pavarësisë që është mbajtur, pasi "All Under One Banner", një grup aktivistësh pro-pavarësisë, udhëhoqi mbështetësit në rrugët e Stirlingut dhe Edinburgut në fillim të këtij viti.
Ndërsa lehtësimet e kufizimeve të koronavirusit kanë lejuar më shumë tubime shoqërore, mbështetësit e pavarësisë po planifikojnë më shumë marshime vitin e ardhshëm, me përjashtim të ndonjë përkeqësimi dramatik të situatës pandemike.
Pavarësia skoceze nga sundimi anglez ka qenë një shtytëse më të cilën janë ballafaquar shekuj me radhë, ku asnjëra palë nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj gjatë viteve.
Lufta e parë për pavarësinë skoceze u zhvillua në fillim të mijëvjeçarit të kaluar. Pavarësisht disa betejave të fituara gjatë shekujve, të dy vendet u bashkuan përfundimisht më 1707 me Aktet e Bashkimit.
- Sërish tema e pavarësisë
Përpjekja e re për pavarësi erdhi menjëherë pas referendumit për Brexit në vitin 2016, kur votuesit britanikë thanë fjalën e tyre për t'u larguar nga BE-ja.
Megjithatë, shumë skocezë mendojnë se u tërhoqën zvarrë jashtë bllokut kundër vullnetit të tyre, pavarësisht nga rezultati i një referendumi të mëparshëm të pavarësisë në vitin 2014, në të cilin votuesit preferuan të mbeten pjesë e Mbretërisë së Bashkuar me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut.
Sondazhet sinjalizojnë fitore të idesë për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar.
Partia në pushtet e Skocisë, Partia Kombëtare Skoceze (SNP), konsolidoi pozicionin e saj në zgjedhjet e fundit të mbajtura në maj 2021. Kryeministrja Nicola Sturgeon e përshkroi fitoren si "historike dhe të jashtëzakonshme" në fjalimin e saj pas rezultateve të votimit.
Pasi kishte siguruar 64 vende në parlament, SNP u bë pjesë e një mazhorance të vendosur pro-pavarësisë, së bashku me të Gjelbrit skocezë që fituan tetë vende.
Sturgeon premtoi një referendum të ri deri në fund të vitit 2023, ku qeveria skoceze tashmë ka publikuar projektligjin për votimin e ri publik.
Skocia mbajti një referendum për shkëputje nga Britania në vitin 2014, dy vjet para referendumit për largimin nga BE-ja. Skocezët votuan kundër pavarësisë me një shumicë prej 55,3 për qind, pasi më shumë se 2 milionë njerëz votuan për të mbetur pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, krahasuar me 1,62 milion që votuan për shkëputje nga ajo.
Qeveria britanike e atëhershme e kryeministrit David Cameron u zotua për bashkëpunim më të mirë me skocezët dhe t'i jepte "kompetenca të reja të zgjeruara parlamentit skocez", ndërsa SNP, e cila udhëhoqi fushatën e pavarësisë, ishte mjaft e sigurt se për vendin do të ishte më mirë nëse shkëputen nga Britania.