Bota

KS i OKB-së diskuton për Kashmirin

Ambasadori rus në OKB, Polyanskiy tha se trupi prej 15 vendesh ka diskutuar për rajonin kontestues të administruar nga India, ku New Delhi është akuzuar për abuzime ndaj popullatës së saj kryesisht muslimane

Ekip   | 16.01.2020
KS i OKB-së diskuton për Kashmirin

Washington

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) kanë zhvilluar bisedime të pazakonshme për rajonin e diskutueshëm të Kashmirit në mes të shqetësimeve të vazhdueshme për pikën kritike midis rivalëve të armatosur bërthamorë, Indisë dhe Pakistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy tha se trupi prej 15 vendesh ka diskutuar për rajonin kontestues të administruar nga India, ku New Delhi është akuzuar për abuzime ndaj popullatës së saj kryesisht muslimane.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi mbi Kashmirin në konstultime të mbyllura”, shkroi Polyanskiy në llogarinë e tij në Twitter pas përfundimit të diskutimeve.

“Rusia me vendosmëri qëndron për normalizimin e marrëdhënieve midis Indisë dhe Pakistanit. Shpresojmë që ndryshimet midis tyre do të zgjidhen përmes përpjekjeve dypalëshe bazuar në Marrëveshjen Simla të vitit 1972 dhe Deklaratën Lahore të vitit 1999”, shtoi Polyanskiy.

Duke folur para gazetarëve pas takimit, ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun, paralajmëroi “tensione” në rajon dhe tha se anëtarët e këshillit dëgjuan nga një zyrtar i OKB-së për “situatën në terren” dhe më pas “shkëmbyen mendime” për çështjen kontestuese.

Ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mehmood Qureshi, ishte caktuar të marrë pjesë në takimet në New York dje pasdite.

Sipas raportimeve, Franca, një aleate e Indisë, ka kundërshtuar kërkesën e Kinës për të zhvilluar bisedime me dyer të mbyllura për çështjen e Xhamu dhe Kashmirit në selinë e OKB-së.

Muajin e kaluar, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia penguan një përpjekje tjetër nga Kina për të diskutuar për çështjen e Kashmirit në një takim me dyer të mbyllura.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së për herë të fundit diskutoi për çështjen e Kashmirit në gusht të vitit 2019.

Kina për një kohë të gjatë shpreh shqetësim për situatën në Kashmirin e administruar nga India dhe ka deklaruar se mbështet “aleatin” Pakistanin në luftën e saj për popullin e Kashmirit.

India dhe Pakistani e administrojnë Kashmirin në pjesë, por e pretendojnë atë të plotë. Kina po ashtu kontrollon një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra mbi Kashmirin.

Marrëdhëniet e tensionuara tashmë për një kohë të gjatë midis dy rivalëve bërthamorë të Azisë së Jugut u rritën më tej pasi India tërhoqi dispozitat e veçanta të shtetit Xhamu dhe Kashmir dhe vendosi një bllokim gati të plotë më 5 gusht.

Disa grupe të të drejtave, përfshirë Human Rights Watch (HRW) dhe Amnesty International (AI), në mënyrë të përsëritur i kanë bërë thirrje Indisë që të heqë kufizimet dhe të lirojë të paraburgosurit politikë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın