Derya Gülnaz Özcan
08 Nëntor 2022•Përditësim: 09 Nëntor 2022
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi se programet "spyware" janë problem edhe në vendet e tjera evropiane dhe se përdorimi i tyre do të ndalohet në Greqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për Bloomberg, Mitsotakis mohoi pretendimet e gazetës "Documento" se telefonat e personave të njohur nga politika, media dhe biznesi në Greqi janë përgjuar.
"Ne kemi një problem me programet e paligjshme spyware në Evropë. Nuk është vetëm problemi i Greqisë. Ne e kemi parë këtë në shumë vende evropiane dhe ne kemi nevojë për një rregullore për të zgjidhur problemin në mbarë Evropën. Shpresoj që Greqia të jetë vendi i parë në Evropë brenda muajit të ardhshëm. Ne do të ndalojmë të gjitha programet e paligjshme spyware që mund të shiten në Greqi", tha Mitsotakis.
Pretendimi se u përgjuan emra të rëndësishëm nga politika, media dhe bota e biznesit
Në lajmin e publikuar në gazetën "Documento", pretendohej se në Greqi janë përgjuar 32 emra të rëndësishëm nga politika, media dhe bota e biznesit.
Në listë ishte ish-kryeministri Andonis Samaras, ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, ish-ministra, politikanë dhe gazetarë.
Në lajm thuhet se u përgjuan edhe kolegë të ngushtë të Mitsotakis dhe rivalë partiakë, si dhe personalitete të opozitës dhe se Mitsotakis ishte plotësisht përgjegjës për skandalin.