Elena Teslova
26 gusht 2026•Përditësim: 26 gusht 2026
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka diskutuar tensionet në Lindjen e Mesme, konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe gjatë një bisede telefonike me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha se telefonata u zhvillua me iniciativën e Kajros.
“Krerët e diplomacive së Rusisë dhe Egjiptit diskutuan situatën aktuale në Lindjen e Mesme. Ata trajtuan çështje që lidhen me përshkallëzimin e paprecedentë të situatës ushtarako-politike në zonën e Gjirit Persik, si pasojë e agresionit amerikano-izraelit kundër Iranit”, thuhet në deklaratë.
Lavrov dhe Abdelatty theksuan nevojën për intensifikimin e përpjekjeve politike dhe diplomatike që synojnë uljen e tensioneve dhe krijimin e një kornize të besueshme për sigurinë rajonale.
Ministrat gjithashtu rikonfirmuan qëndrimin e tyre të përbashkët se çështja palestineze duhet të zgjidhet në përputhje me vendimet e OKB-së.
Lavrov e informoi Abdelattyn për zhvillimet e fundit lidhur me konfliktin në Ukrainë, përfshirë “përkeqësimin e ndjeshëm të situatës në rajonin e Detit të Zi” pas sulmeve të Kievit ndaj anijeve civile dhe infrastrukturës energjetike.
Ministrat diskutuan gjithashtu bashkëpunimin dypalësh, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të ngushtë për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike midis Rusisë dhe Egjiptit.
Ata shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të Rusisë me Unionin Afrikan dhe Ligën Arabe.