Ali H. M.Abo Rezeg
03 Korrik 2017•Përditësim: 03 Korrik 2017
DOHA (AA) – Kryediplomati i Katarit Sheiku Muhamed bin Abdul Rahman Al Thani mbërriti në një vizitë zyrtare në Kuvajt, për të kumtuar qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Katarit në lidhje me listën e kërkesave të parashtuara nga vendet fqinje të Gjirit të udhëhequra nga Arabia Saudite për heqjen e bllokadës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kriza e Gjirit u përshkallëzua më 5 qershor, kur qeveria e Arabisë Saudite, Bahreinit, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jemenit ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe bllokuan kufijtë e Katarit. Katari akuzohet për mbështetje të terrorizmit, gjë të cilën Doha zyrtare i mohon dhe vlerëson se akuzat janë të pabaza.
Shtetet e Gjirit kanë parashtruar një listë prej 13 kërkesash autoriteteve të Katarit, ndët të cilat është edhe mbyllja e rrjetit mediatik Al Jazeera. Afati për përmbushjen e kërkesave ka skaduar dje, kurse me kërkesë të Kuvajtit blloku pro-saudit ka rënë dakord për vazhdimin e afatit për 48 orë të tjera.
Përmbushja e kërkesave i është imponuar Katarit si kusht për zhbllokimin, përndryshe kërcënohet me sanksione të reja.
Al Jazeera raporton se ministri i Jashtëm i Katarit arriti në Kuvajt dhe me qëndrimin zyrtar të Katarit në lidhje me listën e kërkesave.
Emiri i Kuvajtit, Sheiku Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah i cili është ndërmjetës në zgjidhjen e krizës Gjirit, do të takohen sot me ministrin e Jashtëm të Katarit, Al Thani.