Ahmet Dursun
10 Tetor 2024•Përditësim: 10 Tetor 2024
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi dhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman diskutuan në Rijad për agresionin e Izraelit në rajon dhe çështjet që kanë të bëjnë me të dy vendet, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit thuhet se ministri Araghchi u takua me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite Bin Salman në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, ku zhvilloi një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit, Bin Salman shprehu shqetësimin e tij të thellë për përshkallëzimin e krizës dhe përhapjen e luftës në rajon dhe deklaroi se të gjitha vendet e rajonit duhet t'i kushtojnë vëmendje ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
Ai shprehu kënaqësinë e tij për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Iranit dhe Arabisë Saudite vitin e kaluar dhe shtoi se e shohin si pozitive përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. "Mbretëria e Arabisë Saudite është e vendosur të vazhdojë këtë proces në marrëdhëniet dypalëshe", tha Bin Salman.
Ministri iranian, Araghchi deklaroi se vendosja e marrëdhënieve të mira me fqinjët është prioritet i qeverisë dhe se ata janë të vendosur të vazhdojnë këtë politikë për të forcuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Ai potencoi zhvillimet në rajon dhe konsultimet e tij me zyrtarët e këtyre vendeve gjatë vizitës së fundit në Liban dhe Siri. "Të gjitha vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë dhe të gjitha vendet e rajonit duhet të ndalojnë menjëherë sulmet e Izraelit në rajon dhe të parandalojnë shkatërrimin e mëtejshëm të infrastrukturës së Gazës dhe Libanit", tha Araghchi.
Kryediplomati iranian tha se është thelbësore të ndalohen menjëherë sulmet e Izraelit për të garantuar stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon. "Regjimi izraelit po e tërheq të gjithë rajonin në katastrofë. Rajoni ka nevojë për largpamësi, mençuri, guxim dhe bashkëpunim për të kapërcyer këtë kohë të vështirë", tha Araghchi.