Bota

Kosovë, shënohet rritje e rasteve me HIV/AIDS

"Kemi regjistruar 13 raste të reja prej tyre mosha mesatare ka qenë moshë shumë e re dhe kanë qenë të komunitetit LGBTI", tha drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj

Agim Sulaj  | 01.12.2023 - Përdıtësım : 03.12.2023
Kosovë, shënohet rritje e rasteve me HIV/AIDS Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) organizoi tryezën e rrumbullakët në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të AIDS-it, raporton Anadolu.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, komunat, ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), IKSHPK-ja dhe organizatat joqeveritare ku u diskutua rreth situatës aktuale me HIV/AIDS në Kosovë, rajon dhe botë.

Zëvendës/ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it tek popullata e përgjithshme por edhe me prevalencë të ulët tek popullata kyçe.

Ajo tha se ministria i bën falas diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me këtë sëmundje. Sipas saj, rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të HIV-it në Kosovë, kanë luajtur shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare.

"Që nga viti 1986 deri më 1 dhjetor të vitit 2023 në Kosovë janë të raportuara 177 raste me HIV/AIDS. Ministria e Shëndetësisë ka politika të mjaftueshme për parandalimin dhe trajtimin e HIV/AIDS-it me qëllim të arritjes së caqeve 95, 95, 95", theksoi Gexha.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj tha se aktualisht QKUK-ja po i trajton 65 pacientë me HIV/AID-s.

"(Në vitin 2023) Kemi regjistruar gjithsej 13 raste të reja prej tyre mosha mesatare ka qenë moshë shumë e re dhe kanë qenë të komunitetit LGBTI, kurse në vitin e kaluar kemi pasur gjithsej nëntë raste, pra kemi një rritje të lehtë në kohën e fundit në shifra, por rritje e madhe në përqindje", theksoi Vishaj.

Ai tha se në katër vitet e fundit ka pasur vetëm një humbje jete nga kjo sëmundje në Kosovë.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani tha se HIV/AIDS mbetet çështje me rëndësi globale e shëndetësisë publike, ka marrë deri më tani në nivel global rreth 40 milionë jetë.

Kosova nga viti 2002 ka qendra të përhershme për testim vullnetar për sëmundjen e HIV/AIDS.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.