Zülfiya Yakup
01 Shkurt 2019•Përditësim: 01 Shkurt 2019
PRISHTINË (AA) – Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) vendosi t'i jap fund grevës së përgjithshme, e cila zgjati tre javë, pas takimit të mbajtur sot në mëngjes me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Veseli në një konferencë për media pas takimit tha se të hënën nxënësit do t'u kthehen bankave të shkollës në të gjithë Kosovën. Ai tha se nesër Kuvendi i Kosovës do të miratojë ligjin mbi pagat, me të cilin do të rriten pagat për rreth 70 mijë punonjës në arsim.
Në të njëjtën kohë, Haradinaj deklaroi se në ligjin e pagave është arritur maksimumi.
"U bë një punë e shkëlqyer. Qeveria e vendit është e interesuar për t'iu përgjigjur të gjithëve, ne jemi të interesuar të respektojmë dinjitetin e të gjithëve", u shpreh Haradinaj.
Edhe pse nuk precizoi se sa është rritur paga e mësuesve, kryetari i SBASHK-ut Rahman Jashari tha se marrëveshja e re plotëson kërkesat e mësuesve.
"Marrëveshja është e përafërt me atë që kemi kërkuar. Gjysëmvjetori i dytë fillon të hënën", tha Jashari.
Punonjësit e arsimit në të gjitha nivelet nga kopshtet deri në shkolla dhe universitete, ishin në grevë për tri javë, duke kërkuar një rritje të koeficientit për 30 për qind përmes një ligji të ri për pagat. Projektligji për pagat së bashku me amendamentet do të jetë nesër në axhendën e Kuvendit të Kosovës së bashku me ligjin e projekt-buxhetit për vitin 2019.