Bota

Koreja e Veriut refuzon kërkesën e SHBA-së për takim zyrtar

"Ne as nuk jemi duke shqyrtuar mundësinë e ndonjë kontakti me SHBA-të, e lëre më ta kemi takim, gjë që nuk do të na çonte askund, vetëm se do na merrte kohën tonë të çmuar", tha Gwon

Islam Uddin  | 24.06.2021 - Përdıtësım : 24.06.2021
Koreja e Veriut refuzon kërkesën e SHBA-së për takim zyrtar

Ankara

Ministri i Punëve të Jashtme i Koresë së Veriut, Ri Son Gwon, ka hedhur poshtë ofertën e SHBA-së për një takim zyrtar, duke theksuar se nuk ka ndërmend të kontaktojë me Washingtonin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gwon përmes një deklarate tha se Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet deklaratën e shtypit të lëshuar nga zv/drejtori i Komitetit Qendror të Partisë Punëtore të Koresë, e cila largoi "vlerësimin e ngutshëm, hamendjen dhe pritjet e SHBA-së".

"Ne as nuk jemi duke shqyrtuar mundësinë e ndonjë kontakti me SHBA-të, e lëre më ta kemi takim, gjë që nuk do të na çonte askund, vetëm se do na merrte kohën tonë të çmuar", tha Gwon.

Të martën, Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, e cila ka një ndikim të madh, hodhi poshtë çdo bisedim me Washingtonin dhe tha se SHBA mund të përballet me zhgënjim.

"Kam dëgjuar lajmet se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së kishte përmendur se ai e konsideron qëndrimin ndaj SHBA-së si një 'sinjal interesant', të cilin Takimi Plenar i Komitetit Qendror të Partisë Punëtorë të Koresë e sqaroi kësaj here", thuhet në deklaratën e publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve e drejtuar nga shteti.

"Pritjen, të cilën ata zgjodhën të kuptonin në mënyrë të gabuar, do t'i zhytë ata në një zhgënjim më të madh", shtoi ajo.

Më herët të hënën, i dërguari special i SHBA-së për Korenë e Veriut, Sung Kim, ofroi një takim me zyrtarë të Koresë së Veriut "kudo, në çdo kohë, pa parakushte" dhe tha se ai shpresonte për një përgjigje pozitive nga Pheniani.

"Ne vazhdojmë të shpresojmë që RPDK (Republika Popullore Demokratike e Koresë) do t'i përgjigjet pozitivisht thirrjes dhe ofertës sonë për t'u takuar kudo, në çdo kohë dhe pa parakushte", citoi agjencia Yonhap News të ketë thënë Kim gjatë bisedimeve trepalëshe me homologët e Koresë së Jugut dhe Japonisë në Seul.

Deklarata e të dërguarit të SHBA-së erdhi pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim, të premten tha se vendi i tij duhet të përgatitet për të dyja "dialogun dhe konfrontimin" me administratën e SHBA-së të udhëhequr nga Presidenti Joe Biden.

Muajin e kaluar, Biden gjithashtu tha se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë të gatshme të angazhohen diplomatikisht me Korenë e Veriut.

Në mars, Koreja e Veriut kishte hedhur poshtë një ofertë nga SHBA-ja për bisedime, duke thënë se dialogu do të ishte i mundur vetëm nëse të dy palët vijnë në "bazë të barabartë".

Në një deklaratë, Zëvendësministri i Parë i Punëve të Jashtme të vendit, Choe Son Hui, tha se Washingtoni po përpiqej të arrinte kontakte përmes disa kanaleve që nga mesi i shkurtit.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi tre raunde të njëpasnjëshme bisedimesh me Korenë e Veriut, por në fund nuk arriti të binte dakord për programet e saj bërthamore dhe raketave balistike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.