Islamuddin Sajid
20 Janar 2020•Përditësim: 26 Shkurt 2020
Koreja e Jugut ka konfirmuar rastin e parë të lidhur me virusin e zbuluar së fundmi në Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportojnë se rasti i paraqitur në Korenë e Jugut ka ngritur shqetësime se koronavirusi që shkakton simptoma të pneumonisë ka filluar të përhapet në Azi.
Autoritetet lokale të shëndetit thanë se një grua udhëtoi javën e kaluar në qytetin kinez Wuhan, e cila përjetoi ethe, probleme të frymëmarrjes dhe simptoma të tjera pasi arriti në Aeroportin Ndërkombëtar Incheon të Koresë së Jugut, ku u testua pozitive për virusin.
Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bëri të ditur se gruaja u pranua në një spital lokal, ku vazhdon të trajtohet.
Pekini ka deklaruar se lloji i ri i koronavirusit nuk është ngjitës, por Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk përjashton transmetimin e virusit në kushte të caktuara nga personi në person.
Përveç Kinës dhe Koresë së Jugut, raste të virusit raportuan edhe Japonia dhe Tajlanda.