Koreja e Jugut anulon marrëveshjen e inteligjencës me Japoninë
"Japonia flet vetëm për çështjen e 'sigurisë kombëtare' përderisa ka hequr Korenë e Jugut nga lista e 'partnerëve të privilegjuar tregtarë", tha Kim You-geun
Ankara
Koreja e Jugut ka anuluar marrëveshjen që ka aktualisht në zbatim për ndarjen e inteligjencës me Japoninë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zv/drejtori i Zyrës presidenciale për Sigurinë Kombëtare të Koresë së Jugut, Kim You-geun, në një deklaratë tha se kontrollet e rrepta që Japonia zbaton ndaj eksporteve për Seulin çuan në një ndryshim serioz në bashkëpunimin e sigurisë mes dy vendeve.
"Japonia flet vetëm për çështjen e 'sigurisë kombëtare' përderisa ka hequr Korenë e Jugut nga lista e 'partnerëve të privilegjuar tregtarë", tha Kim i cili ka shtuar se në këtë rast, vazhdimi i Marrëveshjes së Përgjithshme të Informacionit Ushtarak të Sigurisë mes dy vendeve nuk përmbush interesat kombëtare.
Poashtu You-geun ka njoftuar se vendimi në fjalë do t'i përcillet Japonisë nëpërmjet kanaleve diplomatike më 24 gusht.
- Kufizimet tregtare midis dy vendeve
Qeveritë e Seulit dhe Tokios akuzojnë njëra-tjetrën për dërgimin e paligjshëm të disa sendeve strategjike në Korenë e Veriut.
Japonia me vendimin e marrë në fillim të muajit të kaluar njoftoi se do ta bëjë të lidhur me një leje individuale eksportin e ekraneve dhe të tre kimikateve të përdorura në ndërtimin e gjysmëpërçuesve që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të eksporteve të Koresë së Jugut.
Zyrtarët e Koresë së Jugut deklaruan se ata do të ankohen pranë Organizatës Botërore të Tregtisë, duke thënë se kufizimi shkel ligjin ndërkombëtar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.