"Kolera në Jemen, epidemia më e madhe në histori”
Organizata humanitare Oxfam, njoftoi se epidemia e kolerës e cila ka përfshirë vendin që nga muaji prill e deri më tani është “epidemia më e madhe në histori”

Marib
MARİB (AA) – Organizata ndërkombëtare humanitare Oxfam, njoftoi se epidemia e kolerës e cila ka përfshirë Jemenin që nga muaji prill e deri më tani është “epidemia më e madhe në histori”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim në faqen e internetit të Oxfam-it thuhet se “Numri i personave që humbën jetën nga kjo sëmundje që nga 27 prilli e deri më tani është më shumë se 2.100, ndërkaq janë vërejtur 704 mijë e 544 raste të dyshuara. Ky është numri më i madh i regjistruar gjatë gjithë historisë”.
Në deklaratë është paralajmëruar se numri i rasteve të dyshuara deri në muajin nëntor mund të arrijë në 1 milion.
Drejtori për ndihma humanitare të Oxfam-it, Nigel Timmins tha se në Jemen po ndodh kriza më e madhe njerëzore në botë.
Ai vuri në dukje se kriza në Jemen po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe se lufta në vend e cila vazhdon për më shumë se dy vite po krijon mundësi për përhapjen e kolerës.
Sipas raportit të publikuar ditë më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), që nga 27 prilli e deri më tani në Jemen janë vërejtur 745 mijë e 205 raste të dyshuara të kolerës, ku si pasojë e epidemisë kanë humbur jetën 2.119 persona.