Ekip
03 Maj 2021•Përditësim: 04 Maj 2021
Koalicioni i udhëhequr nga sauditët në Jemen konfirmoi se ka interceptuar dhe shkatërruar tre dronë të ngarkuar me eksploziv dhe dy raketa balistike të lëshuara nga rebelët Houthi drejt Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).
Një deklaratë e koalicionit cituar nga agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA tha se sulmet me dron dhe raketa synuan qytetin Najran në pjesën jugperëndimore të Arabisë Saudite.
"Milicia terroriste Houthi vazhdon të kryejë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar duke synuar civilët dhe zonat civile", theksohet në deklaratë.
Zëdhënësi i rebelëve Yahya Saree konfirmoi sulmet, duke thënë se ato kishin në shënjestër pozitat ushtarake në aeroportin Najran dhe bazën ajrore King Khalid në Khamis Mushait në jugperëndim të Arabisë Saudite.
Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, kryejnë rregullisht sulme me raketa dhe dronë në territoret saudite, duke thënë se janë reagim ndaj sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga sauditët ndaj Jemenit.