Bota, Shëndetësi, Koronavirusi

Kina raporton rritje të rasteve me COVID-19

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë (NHC) raportoi 144 infeksione të reja, 126 prej të cilave ishin raste të transmetuara lokale

Riyaz Ul Khaliq   | 21.01.2021
Kina raporton rritje të rasteve me COVID-19

Ankara

Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se rastet e transmetuara lokale të koronavirusit të ri (COVID-19) në vend janë në rritje, përderisa numri i personave që kanë marrë vaksinën kundër virusit ka tejkaluar shifrën 15 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë (NHC) raportoi 144 infeksione të reja, 126 prej të cilave ishin raste të transmetuara lokale, shifër shqetësuese në rritje që vjen para festës javore të Vitit të Ri Hënor (Festivali i Pranverës), që fillon nga 12 shkurti.

Shumica e rasteve të transmetimit lokal, përkatësisht 68 prej tyre u raportuan në provincën Heilongjiang, e ndjekur nga provinca Jilin me 33 raste dhe provinca Hebei me 20 raste. Po ashtu nga dy raste u raportuan në kryeqytetin Pekin dhe provincën Shanxi si dhe një në Shandong.

Shumë rajone në këto provinca janë nën një bllokim të rreptë për të frenuar rritjen e infeksioneve me COVID-19.

Sipas autoriteteve shëndetësore kineze, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend ka arritur në 88.701, përfshirë 4.635 vdekje dhe 82.468 të shëruar.

Fushata e vaksinimit

NHC së fundmi njoftoi se deri më tani dozën e parë të vaksinës kundër virusit e kanë marrë mbi 15 milionë persona.

"Procesi i vaksinimit ka qenë i qetë. Ne do vazhdojmë punën ashtu siç është planifikuar përderisa po afrohet edhe Viti i Ri Hënor", tha Wang Bin nga zyra e NHS-së.

Mediat lokale raportojnë se Wang njoftoi se autoritetet planifikojnë të "vaksinojnë fëmijët dhe të moshuarit në mbarë vendin për të parandaluar shpërthimet".

"Stafi i emigracionit, punonjësit e transportit ndërkombëtar dhe të brendshëm, punonjësit thelbësor dhe ofruesit e shërbimeve publike kanë përparësi në fushatën e vaksinimit, e cila ka për qëllim të imunizojë 50 milionë persona para festës", tha zyrtari kinez.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın