Bota, Ekonomi

Kina hapi 44 mijë kompani jashtë vendit në vitin 2019

Investimet e huaja direkte (ODI) të vendit arritën në 136.9 miliardë dollarë në vitin 2019, me një rënie prej 4.3 për qind

Islam Uddin   | 16.09.2020
Kina hapi 44 mijë kompani jashtë vendit në vitin 2019

Ankara

 Investitorët kinezë në vitin 2019 hapën rreth 44.000 kompani në mbi 80 për qind të shteteve dhe rajoneve në të gjithë botën, njoftuan sot mediat shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas "Global Times", investimet e huaja direkte (ODI) të vendit arritën në 136.9 miliardë dollarë në vitin 2019, me një rënie prej 4.3 për qind në krahasim me një vit më parë, megjithatë Pekini sërish mbeti vendi i dytë në botë për nga investimet e huaja pas Japonisë.

Deri në fund të vitit të kaluar, investimet e huaja direkte kumulative të Kinës arritën në 2.2 trilionë dollarë, e treta në botë pas SHBA-së dhe Holandës, theksoi e përditshmja, duke cituar Ministrinë e Tregtisë, Byronë Kombëtare të Statistikave dhe Administratën Shtetërore të të dhënave të këmbimit valutor.

Investimet kineze, që mbulojnë 188 vende dhe rajone në të gjithë botën së bashku me Nismën e Rripave dhe Rrugëve (BRI) shënuan rritje të qëndrueshme vitin e kaluar ndërsa investimet e përgjithshme të vendit në BRI midis viteve 2013 dhe 2019 arrijnë në 117.3 miliardë dollarë, tregojnë të dhënat zyrtare.

Nisma e Rripave dhe Rrugëve të Kinës (BRI) është një program ambicioz për të lidhur Azinë me Afrikën dhe Evropën përmes rrjeteve tokësore dhe detare përgjatë gjashtë korridoreve me qëllim përmirësimin e integrimit rajonal, nxitjen e tregtisë dhe stimulimin e rritjes ekonomike.

Shtrirja gjeografike e BRI mbulon mbi 70 vende, e cila përbën rreth 65 për qind të popullsisë së botës dhe rreth një të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të botës.

Sipas të dhënave, investimet e drejtpërdrejta kineze dhanë kontribute në vendet pritëse dhe kompanitë jo vetëm duke punësuar 2.27 milionë punonjës të huaj, por gjithashtu duke paguar 56 miliardë dollarë taksa për vendet dhe rajonet ku ata operojnë. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın