Şeyma Uzundere
09 Korrik 2021•Përditësim: 09 Korrik 2021
Kina ka evakuuar 210 shtetas të saj nga Afganistani, ku trupat amerikane janë gati të përfundojnë procesin e tërheqjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të gazetës "Global Times" një nga organet zyrtare të Partisë Komuniste të Kinës, avioni që i përkiste Xiamen Airlines u ngrit nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabul më 2 korrik dhe u ul në qytetin e Wuhanit në provincën Hubey të Kinës.
Linja ajrore në faqen e rrjeteve sociale kineze Weibo konfirmoi se 210 shtetas u evakuuan nga Afganistani në fluturimin e 2 korrikut.
Bëhet e ditur se 52 personat në avion gjithashtu kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri (COVID-19).
Kina u bën thirrje qytetarëve të saj "të largohen nga vendi"
Kina më 21 qershor u bëri thirrje qytetarëve të saj të largohen nga vendi për shkak të shqetësimeve në lidhje me përshkallëzimin e dhunës në Afganistan.
Administrata amerikane arriti një marrëveshje me talebanët më 29 shkurt 2020 dhe më 1 maj 2021 ra dakord të tërhiqej plotësisht nga Afganistani.
Nga ana tjetër, administrata e Joe Bidenit njoftoi se deri më 11 shtator do të tërhiqen plotësisht nga Afganistani.
Presidenti i SHBA-së, Biden deklaroi se misioni i ushtrisë amerikane në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht.
Vazhdon dhuna në vend
Përderisa procesi i paqes në Afganistan mbetet i pasigurt, vazhdojnë përplasjet e dhunshme midis forcave të sigurisë dhe talebanëve.
Në sulmet e filluara në javën e fundit të qershorit, talebanët morën pothuajse të gjitha rrethet në kufirin me Uzbekistanin dhe Taxhikistanin. Talebanët, të cilët rrethuan portën kufitare Hayratan, rruga më e rëndësishme tregtare për në Uzbekistan, nga dy drejtimet dhe u përqendruan në provincën Gazni në jugperëndim të vendit.
Talebanët rritën presionin e tyre me sulme të dhunshme në provincat: Badakhshan, Tahar, Ghazni, Herat dhe në Wardak.
Sipas informatave të marra nga AA nga autoritetet lokale, mësohet se talebanët kanë marrë më shumë se 150 nga 407 rrethe, përfshirë edhe qendrat e tyre. Nga ana tjetër, talebanët deklaruan se numri i qendrave të rretheve nën kontrollin e tyre është mbi 200.
Talebanët ende nuk kanë kryer sulme që synojnë qendrat provinciale.