Kina dënon vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei
“Sulmi dhe vrasja e liderit suprem të Iranit është një shkelje e rëndë e sovranitetit dhe sigurisë së Iranit. Kjo shkel qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës
Stamboll
Kina ka dënuar vrasjen e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në sulmet SHBA-Izrael ndaj kryeqytetit iranian Teheran një ditë më parë, transmeton Anadolu.
“Sulmi dhe vrasja e liderit suprem të Iranit është një shkelje e rëndë e sovranitetit dhe sigurisë së Iranit”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës në platformën amerikane të mediave sociale X.
“Kjo shkel qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kina e kundërshton fuqishëm dhe e dënon ashpër”, thuhet më tej.
Duke përsëritur thirrjen për një përfundim “të menjëhershëm” të operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme, ministria theksoi nevojën për një “përpjekje të përbashkët” për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe “në mbarë botën”.
Më herët, Teherani njoftoi vdekjen e Khameneit, 86-vjeç, pas bombardimeve të djeshme SHBA-Izrael ndaj kryeqytetit iranian.
Gjithashtu u shpallën 40 ditë zie publike në vend.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit tha se Khamenei u vra në zyrën e tij herët të shtunën dhe se vdekja e tij do të shënojë fillimin e një “kryengritjeje të madhe kundër tiranëve të botës”.
Para konfirmimit nga Teherani, presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se “Khamenei është i vdekur”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
