Riyaz Ul Khaliq
25 Nëntor 2020•Përditësim: 26 Nëntor 2020
Kina të martën dërgoi një mision historik në Hënë për të mbledhur "mostrat e para nga Hëna", raportuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Anija kozmike do të "mbledhë dhe do të sjellë mostra nga Hëna" tha agjencia e lajmeve Xinhua, duke shtuar se do të jetë "përpjekja e parë e vendit për të marrë mostra nga një trup jashtëtokësor".
Raketa vendore e Kinës, Long March-5, mbante anijen kozmike "Chang'e-5", e cila u nis nga platforma e lansimit të anijes Wenchang në bregdetin e provincës jugore Hainan rreth orës 4:30 të mëngjesit sipas kohës lokale (20:30 sipas kohës së Evropës Qendrore të hënën).
Ajo u emërua sipas perëndeshës kineze të Hënës.
Anija kozmike është "misioni i parë në botë i mostrës së Hënës për më shumë se 40 vjet" dhe një nga misionet më të komplikuara dhe sfiduese në historinë e misioneve hapësinore të Kinës, thuhet në raport.
Qëllimi i tij përfshin "hetimin e zonës së uljes për të marrë të dhënat e analizës në vend në lidhje me mostrat hënore si dhe analizat sistematike dhe afatgjata laboratorike të mostrave hënore".
Pei Zhaoyu, zëvendës drejtor i Qendrës së Programit Hulumtues dhe Hapësinor Lunar të Administratës Kombëtare të Hapësirës së Kinës tha se: “Misioni do të ndihmojë në promovimin e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë së Kinës dhe do të vendosë një themel të rëndësishëm për uljen hënore të drejtuar nga Kina dhe kërkimin e thellë të hapësirës”.
Anija kozmike përbëhet nga një orbiter, ulës, ngritës dhe kthyes, me një masë totale ngritjeje prej 8.2 ton.
- Anija kozmike hyri në orbitën hënore
Anija kozmike ka hyrë në orbitën hënore dhe ka filluar operacionet e saj me ndihmën e paneleve diellore që i sigurojnë asaj burim të pavarur të energjisë.
Pritet që në 48 orët e ardhshme, shpuesi robotik i anijes kozmike të futet në sipërfaqe. "Rreth 2 kg mostra pritet të mblidhen dhe të mbyllen në një enë në anije".
Vetëm kur marrëdhënia gjeometrike midis Tokës dhe hënës të jetë "e përshtatshme", orbiteri do ta kthejë kthyesin në Tokë.
Pritet që të hyjë përsëri në atmosferë dhe të ateroj në Siziwang Banner në Rajonin Autonom të Mongolisë në Kinën veriore ndërsa fluturimi mund të zgjasë më shumë se 20 ditë.
Programi aktual i Kinës për hulumtimin hënor me tre etapa filloi në vitin 2004 dhe përfshin orbitimin dhe uljen në Hënë dhe sjelljen e mostrave.
"Përmes programit, Kina ka fituar teknologjitë themelore të hulumtimit hënor pa pilot me investime të kufizuara", tha Pei.
“Takimi pa pilot dhe ankorimi në orbitën hënore do të jetë e para në histori. Do të jetë shumë e vështirë”, tha Peng Jing, zëvendës-shefi i projektuesit të sondës Chang'e-5 nga Akademia Kineze e Teknologjisë Hapësinore nën Korporatën e Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore Kineze.
“Ne mund ta quajmë atë një mision historik. Suksesi i tij do të na ndihmojë të fitojmë aftësitë themelore për eksplorimin e thellë të hapësirës në të ardhmen siç janë marrja e mostrave dhe ngritja nga Marsi, asteroidet dhe trupat e tjerë qiellorë”, shtoi Peng.
Qëllimet shkencore të misionit Chang'e-5 përfshijnë hetimin e zonës së uljes për të marrë të dhënat e analizës në vend që lidhen me mostrat hënore, si dhe analizat sistematike dhe afatgjata laboratorike të mostrave hënore.
Chang'e-5 do të ulet në perëndim të Chang'e-3 i cili u lansua në hënë në vitin 2013.
Autoritetet hapësinore të Kinës thanë se ky vend u zgjodh "sepse rajoni ka një moshë të re gjeologjike, më e re se zonat e marrjes së mostrave të SHBA-ve dhe ish-Bashkimit Sovjetik më shumë se 40 vjet më parë".
“Ky rajon nuk është provuar kurrë. Mostrat e reja do të kenë një vlerë të madhe shkencore”, thanë ata.
"Shkencëtarët vendas dhe të huaj do të kenë të gjithë shansin për të marrë mostrat hënore që do të kthehen nga Chang'e-5 për kërkime", tha Pei.