Ömer Tuğrul Çam
06 Nëntor 2022•Përditësim: 07 Nëntor 2022
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, gjegjësisht pas dorëheqjeve të përfaqësuesve të serbëve në Qeverinë, Kuvendin e Kosovës si dhe në të gjitha institucionet në veri të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
KFOR-i ka bërë thirrje që dallimet të zgjidhen me rrugë të dialogut konstruktiv.
Në një deklaratë nga KFOR-i thuhet se situata po ndiqet nga afër dhe se vazhdohet bashkëpunimi me qeveritë e Serbisë dhe Kosovës si dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim për vazhdimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë në Kosovë.
"Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të trajtojnë dhe diskutojnë dallimet përmes dialogut konstruktiv. Sillni përparim në shoqëri! Shprehni pikëpamjet tuaja në mënyrë paqësore dhe kërkoni konsensus", thuhet në deklaratë.
Zhvillimet lidhur me përdorimin e targave të automjeteve në Kosovë kanë shkaktuar tensione muajt e fundit.
Së fundmi serbët e Kosovës u tërhoqën nga institucionet qendrore dhe lokale në vend si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të konvertuar në "RKS" (Republika e Kosovës) targat që u janë dhënë serbëve në vend nga autoritetet e Serbisë".
- Tensionet Kosovë-Serbi
Qeveria e Kosovës në fund të korrikut njoftoi se do të hyjnë në fuqi vendimet në përputhje me parimin e reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me "lëshimin e formularëve të deklarimit të përkohshëm për ata që hyjnë/dalin nga Kosova me letërnjoftime serbe" dhe "konvertimin në ‘RKS‘ (Republika e Kosovës) të targave që janë lëshuar nga autoritetet e Serbisë për serbët në Kosovë".
Serbët në Kosovë reaguan ndaj kësaj duke mbyllur kalimet kufitare në veri të vendit dhe shkaktuan rritjen e tensioneve në vend.
Qeveria e Kosovës më pas me kusht heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura në rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë, mori vendim që ta shtyjë më 1 shtator zbatimin e vendimit që shkaktoi krizë.
Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor automjetet me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.