Mert Davut,Handan Kazancı
15 Maj 2024•Përditësim: 16 Maj 2024
Aktiviteti “Rusia-Bota Islame: KazanForum 2024”, po vazhdon me sesione ekonomike me shumë tema si shkenca, teknologjia, financat islame, ushqimi hallall, inteligjenca artificiale, media dhe turizmi.
Forumi ndërkombëtar, i cili këtë vit po mbahet për herë të 15-të dhe në të cilin Anadolu Agency (AA) është partner global i komunikimit, do të vazhdojë deri më 19 maj në Kazan, kryeqyteti i Republikës së Tataristanit në Federatën Ruse.
Në KazanForum po mbahen sesione ekonomike për shumë tema, nga shkenca te teknologjia, nga financat islame te ushqimi hallall, nga inteligjenca artificiale te media dhe nga burimet njerëzore te turizmi.
Duke folur në hapjen zyrtare të sesioneve ekonomike, kryeministri i Republikës së Tataristanit, Aleksey Valeryevich Pesoshin, deklaroi se kjo ngjarje është një platformë bashkëpunimi për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, sociale dhe kulturore midis Rusisë dhe vendeve të botës islame.
Duke vënë në dukje se marrëdhëniet midis Rusisë dhe botës islame janë forcuar dhe kanë vazhduar në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve, Pesoshin tha: “Në tri vitet e fundit, vëllimi i tregtisë së jashtme midis Rusisë dhe vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam u rrit me 37 për qind dhe arriti në 156 miliardë dollarë”.
Pesoshin theksoi se forumi ka rritur kontaktet dhe dialogun konstruktiv midis pjesëmarrësve dhe tha se ngjarja është një platformë unike që mbështet zhvillimin e marrëdhënieve dhe promovimin e botës së biznesit.
Duke folur në forum, Shefi Ekzekutiv (CEO) i “Shërbimeve Hallal të Odave Islame” (ICHS) me bazë në Londër, Ashraf Al-Tanbouly, tha se ngjarja demonstron potencialin e produkteve dhe shërbimeve hallall në shkallë globale.
Al-Tanbouly deklaroi se kanë mbrojtur përdorimin etik të burimeve, transparencën dhe parimet e cilësisë për vite, dhe se këto vlera përbëjnë thelbin e produkteve hallall.
Duke theksuar se kërkesa për produkte hallall është rritur globalisht me rritjen e popullsisë muslimane, Al-Tanbouly tha: “Tregu hallall ofron një mundësi të jashtëzakonshme për prodhuesit në gjithë botën”.